Barcelona është futur në garë me të gjitha forcat për një mbrojtës të djathtë të ri përpara nisjes së sezonit 2019/20.
Pas humbjes ndaj Chelsea në Tokio, Ernesto Valverde nënkuptonte se do të ketë disa kthesa para se të fillojë sezoni në La Liga.
“Unë po vlerësoj nëse Sergi Roberto mund të luajë në mesfushë”, ka thënë Valverde pas ndeshjes, duke shpjeguar se pozicioni i djathtë mund të ndahet nga Nelson Semedo dhe Moussa Wague.
Që kur Dani Alves u largua nga klubi, Barcelona nuk ka gjetur një zëvendësim adekuat dhe Sergi Roberto ka qenë lojtari që ka luajtur më shumë se kushdo tjetër në atë pozitë.
Ideja ishte fillimisht e spanjollit Luis Enrique, por lojtari nuk ishte edhe aq i kënaqur me pozitën dhe dëshira e tij ishte që të kthehej në pozitën e tij origjinale në mesfushë.
Ardhja e Semedos në 2017 ishte basti i madh që klubi shpresonte ta fitonte dhe të mbushte zbrazëtinë e Alvesit, por portugezi nuk ka treguar ende potencialin e tij, megjithëse ka bërë përmirësime në 82 ndeshje që ka luajtur në dy vitet që nga nënshkrimi.
Në anën tjetër, Wague ka punuar me ekipin B, por ky mund të jetë viti që ai të rritet dhe të zhvillojë shumë ndeshje me ekipin A. /Telegrafi/