Barcelona ka arritur të fitojë në udhëtim te rivali lokal, Girona, me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të në La Liga.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte e baraspeshuar me të dyja skuadrat që krijonin raste, por vetëm mysafirët e Barcelonës arritën të gjenin golin.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e nëntë të ndeshjes dhe ishte mbrojtësi Nelson Semedo, i cili shënoi për 0-1, ndërsa rast të mirë humbi Philippe Coutinho (15′).
Në pjesën e dytë, katalunasit ishin dukshëm më të mirë dhe fitoren e tyre e bëri edhe më të lehtë mbetja me dhjetë futbollistë e vendasve.
Ishte mbrojtësi Bernardo Espinosa (51′), i cili u ndëshkua me të kuq pas dy kartonëve të verdhë duke ia lehtësuar fitoren Barcelonës.
Në minutën e 68-të të ndeshjes ishte ylli argjentinas, Lionel Messi, i cili shënoi një gol të bukur me parabolë për 0-2 pas asistimit të Jordi Albas.
Deri në fund të ndeshjes, Barcelona pati edhe shumë raste tjera për gol, por pa arritur të tund më rrjetën dhe në fund fituan me rezultat 2-0.
Pas kësaj fitore, Blaugranët kanë 49 pikë në vendin e parë apo pesë më shumë se Atletico Madrid në të dytin, ndërsa Girona zë vendin e 13-të me 24 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Barcelona luan në Camp Nou ndaj Valencias, ndërsa Girona udhëton te Eibari. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?time_continue=2&v=nzuNgA1SDQ8
https://twitter.com/Laith_ziod/status/1089564700151611393