Barcelona ka fituar në udhëtim te Eibari me rezultat 0-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e 24-të të La Ligas.
Skuadra e Ernesto Valverdes i është kthyer fitoreve në kampionatin spanjoll pasi dy barazimeve në dy ndeshjet e fundit.
Pjesa e parë e takimit ishte e barabartë nga të dyja skuadrat, por ishin vetëm katalunasit ata që gjeten golin.
Luhej minuta e 16-të e ndeshjes kur Luis Suarez mori një asistim perfekt nga Lionel Messi dhe shënoi për 0-1, duke dërguar skuadrën në pushim me epërsi.
Në pjesën e dytë, Barcelona ishte edhe më kërkuese, por golin e sigurisë dhe fitores e gjeti vetëm në fund të ndeshjes.
Ishte mbrojtësi Jordi Alba, i cili shënoi në minutën e 88-të për 0-2 dhe vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Barcelona vazhdon në pozitën e parë me 62 pikë, ndërsa Eibari në vendin e shtatë me 35 pikë.
Në ndeshjen e radhës katalunasit luajnë në shtëpi ndaj Gironas, ndërsa Eibari udhëton te Celta Vigo. /Telegrafi/