Barcelona është e gatshme të shesë emrin e stadiumit, derisa raportohet se kompania e kanabisit që udhëhiqet nga Mike Tyson është e gatshme t’i blejë të drejtat.
Legjenda e boksit nuk është i vetëm në këtë biznes, pasi për partner e ka edhe Alki David, që po ashtu është pajtuar të futet në këtë ankand.
Sipas Mundo Deportivos, një numër i vogël i ofertave ka arritur në drejtim të klubit katalunas, gjersa bëhet e ditur se kompania e kanabisit të Tyson ka bërë ofertë të lartë.
Por, për të blerë emrin e stadiumit që aktualisht quhet Camp Nou, legjenda e boksit ka kërkuar që në lokalet e stadiumit të lejohet shitja e substancave narkotike te tifozët.
Bisedimet kanë filluar në javën e kaluar sipas mediumit që është i afërt me klubin, mirëpo ende nuk dihet nëse do të pranohet kërkesa e Tyson.
Stadiumi e kishte marrë emrin Camp Nou që nga viti 1957 dhe nga atëherë nuk ishte ndërruar asnjëherë.
Barcelona është pajtuar të shesë emrin e stadiumit, pasi kriza financiare e shkaktuar nga coronavirusi ka prekur ata, duke ulur pagat e lojtarëve gati përgjysmë.
Andaj kompania e kanabisit e drejtuar nga Mike Tyson është favorite për të blerë emrin e stadiumit në një kontratë trevjeçare me mundësi vazhdimi. /Telegrafi/