Site icon Telegrafi

Barcelona ka punësuar një kompani për të ruajtur imazhin e presidentit Bartomeu dhe për të kritikuar lojtarët, ish-lojtarët dhe kundërshtarët e tij

Mediat spanjolle pretendojnë që Barcelona ka punësuar një kompani të PR, e njohur me emrin “E3 Ventures”, për të pastruar imazhin e Josep Maria Bartomeu në rrjetet sociale, por duke dëmtuar imazhin e ish-lojtarëve dhe legjendave të klubit.

Ky është skandali i fundit që pas vazhdës së mosmarrëveshjeve mjaft publike të Lionel Messit me drejtorin sportiv Eric Abidal, që e detyroi edhe Bartomeun të ndërmjetësonte.

Sipas një raporti nga Cadena SER në programin “QuèThiJugues”, kompania është  punësuar nga klubi katalanas dhe menaxhon deri në gati 100 llogari në Twitter dhe Facebook.

Këto llogari kanë sulmuar individë si Lionel Messi, Xavi, Gerard Pique, Pep Guardiola, Carles Puyol, Joan Laporta dhe Carles Puigdemont.

 

Kompania në fjalë, E3Ventures nënshkroi një kontratë me klubin rreth tre vjet më parë për një tarifë të vogël për një klub si Barcelona (një milion euro), duke pasur parasysh se një pagesë më e madhe do të kishte nevojë për miratimin e aksionarëve të klubit.

Kompania dyshohet se filloi një fushatë për krijimin e llogarive në mediat sociale me mesazhe që duartrokisnin punën që po kryhej nga bordi, ndërsa në të njëjtën kohë kritikonte një seri individësh të lidhur ngushtë me klubin e futbollit.

Drejtorët e FC Barcelona e pranojnë marrëveshjen me “E3Ventures”, por mohojnë që kompania u punësua për të sulmuar individë në internet.

Për shembull, këto llogari sulmuan ikonën argjentinase Lionel Messi për vonesën e tij në rinovimin e kontratës së tij me Barcelonën, ndërsa Gerard Pique u kritikua për interesat e tij në rritje për biznesin, përfshirë edhe punën e tij me Davis Cup.

Këto llogari filluan të shfaqen në vitin 2017. /Telegrafi/

Exit mobile version