Barcelona ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të Kupës së Mbretit në udhëtim te Levante 2-1.
Vendasit e nisën për mrekulli ndeshjen, pasi vetëm pas katër minutave lojë arritën të kalonin në epërsi.
Rochina harkoi bukur në zonë nga ndërprerja, ndërsa edhe më bukur u gjend qendërmbrojtësi Cabaco që shënoi me kokë për 1-0.
Kur pritej që Barcelona të kundërpërgjigjej dhe të barazonte rezultatin, ndodhi e kundërta.
Ishin futbollistët vendas që arritën përsëri të shënonin në portën e Jasper Cillessen.
Emanuel Boateng shërbeu bukur sulmuesin Borja Mayoral i cili shënoi për 2-0.
Barcelona tentoi në pjesën e parë të shënonte me Malcom e Dembele por një gjëje të tillë nuk ia arritën.
Me epërsinë 2-0 në të mirë të vendasve përfunduan 45 minutat e para të ndeshjes.
Në pjesën e dytë, Barcelona vazhdoi duke sulmuar për të gjetur golin, ku pati raste të mira me Dembelen e Coutinhon, por përsëri pa sukses.
E në minutën e 85-të, lideri aktual i La Ligas arriti të ngushtojë rezultatin me anë të Philippe Coutinhos që shënoi nga penalltia për 2-1.
Për Levanten kjo ishte një fitore e madhe përballë Barcelonës në ndeshjen e parë të Kupës së Mbretit.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave ku Barcelona në Camp Nou do të tentojë të shënojë fitore me dy gola epërsi për të kaluar në çerekfinale. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=jVRbTCLLhVI
https://www.youtube.com/watch?v=v7-GCcJM0dg