Telegrafi

Barcelona – Frenkie de Jong: Beteja fillon nga e hëna

Frenkie de Jong është tashmë në Barcelonë. Pushimet e holandezit kanë përfunduar dhe të hënën ai do t’i rikthehet stërvitjeve të ekipit të parë së bashku me pjesën tjetër të lojtarëve.

Nuk do të jetë një rikthim i lehtë. Përkundrazi, situata në të cilën ndodhet futbollisti do të jetë shumë e komplikuar. Klubi dëshiron ta shesë dhe në fakt ka hapur negociatat me Manchester United. Nga ana tjetër, lojtari është i prirur të qëndrojë.

Takimi mes klubeve

Do të ketë një takim urgjent mes dy skuadrave tani që lojtari është kthyer në Barcelonë. Lojtari dhe agjenti i tij, Ali Dursun, duan të dinë së pari se cili është pozicioni i klubit. Ata janë shumë të zemëruar për mënyrën se si bordi po e trajton çështjen. Atyre nuk u pëlqen fakti që ka dalë lajmi për negociatat me United dhe është zbuluar kontrata e lojtarit. Madje ata perceptojnë një fushatë propagandistike ndaj mesfushorit holandez.

Lexo po ashtu Rrjedhin detajet e kontratës së De Jong te Barcelona: Paga fikse, shpërblimet, pagesat e shtyra

Ulje rroge

Nga ana e tyre, gjigantët katalanas e kanë shumë të qartë pozicionin e tyre dhe nuk synojnë të tërhiqen prej tij. Propozimi i parë do të jetë që të kërkohet një ulje e ndjeshme e pagës pasi lojtari do të paguhet 21 milionë euro sezonin e ardhshëm dhe gati 28 milionë euro vitin e ardhshëm, përveç variablave që mund të marrë për ndeshjet e luajtura dhe titujt e fituar. Klubi është në mes të një ristrukturimi të madh të shkallës së pagave të skuadrës dhe nuk mund të përballojë kontrata si ajo e De Jong.

Manchester United në sulm

Nëse De Jong nuk e pranon këtë propozim, plani i dytë është të shesë mesfushorin, i cili është një nga pasuritë më të vlefshme të klubit në treg. Këtu puna tashmë ka avancuar sepse departamenti teknik i Barcelonës prej disa kohësh po negocion me Manchester Unitedin, i cili është shumë i interesuar për lojtarin. Erik Ten Hag , trajneri i ri i klubit, ka punuar me të në Ajax dhe dëshiron ta kthejë atë në dirigjentin e mesfushës së ekipit.

Lexo po ashtu Presidenti i Barcelonës, Laporta flet për Lewandowskin dhe De Jongun

Frenkie de Jong nuk dëshiron të largohet

Megjithatë, nuk do të jetë e lehtë ta bindësh dhe këtu vjen problemi i dytë. Lojtari nuk dëshiron të largohet nga Barcelona. Qëllimi i tij kryesor është të qëndrojë. Ai sapo ka blerë një shtëpi të re dhe gruaja e tij është shumë e lumtur që jeton në Barcelonë. Për më tepër, ai ka një kontratë që ka vlen deri në vitin 2026. Ka ditë shumë komplekse përpara për sa i përket marrëdhënies mes Barcelonës dhe De Jong. /Telegrafi/