Telegrafi

Barcelona fiton me vështirësi në udhëtim te Valladolidi

Barcelona (Getty Images)

Barcelona ka arritur të marrë një fitore të vështirë në udhëtim te Valladolidi me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë në La Liga.  

Skuadra e Ernesto Valverdes ka shënuar edhe fitoren e dytë në kampionatin spanjoll, pikërisht në udhëtimin e tyre te Valladolidi.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në tërësi Barcelonës, të cilët rrezikuan shumë herë, por goli iu mohua nga portieri Jordi Masip.

Masip ishte më meritori te Valladolidi (Getty Images)

Rastet më të mira në këtë pjesë ishin ai i Luis Suarez (33′), Philippe Coutinho (35′) dhe Lionel Messi (43′), por që asnjëri nuk arriti t’i ndryshojë shifrat.

Në pjesën e dytë, katalunasit vazhduan me lojë të mirë dhe raste, por edhe vendasit patën rastet e veta për gol.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 57-të me anë të Ousmane Dembele, i cili shënoi për 0-1 pas asistimit të Sergi Robertos.

Festa tek goli i Dembeles (Getty Images)

Valladolidi pati rast të mirë për të barazuar rezultatin në minutën e 77-të me anë të Kekos, por Marc Andre Ter-Stegen ia mohoi golin.

Deri në fund të ndeshjes edhe përkundër disa rasteve tjera dhe një goli të shënuar, por të anuluar nga VAR-i, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Barcelona mori tri pikët e radhës me një fitore minimale 1-0.

Pas kësaj fitore, Barcelona e sheh veten në pozitën e parë me gjashtë pikë, ndërsa Valladolidi në vendin e 13-të me një pikë.

Në ndeshjen e radhës, katalunasit e presin Huescan në Camp Nou, teksa Valladolidi udhëton drejt Getafes. /Telegrafi/

https://twitter.com/Cataloniacs/status/1033467476678533125