Telegrafi

Barcelona edhe më pranë titullit

Barcelona ishte forca dominuese që nga fillimi i takimit. Një pasim elegant nga Maxwell, arriti ta shfrytëzojë për mrekulli Lionel Messi që shënoi lehtë pasi pranoi topin bukur me gjoks (5’).

Blaugranët dyfishuan epërsinë që në pjesën e parë, kur pas një pasimi të mirë të Xavit, Bojan Krkic u gjend më së miri para portës kundërshtare (28’).

Pjesa e dytë, ishte vërtetë fantastike. Në minutën e 56-të është Abdullae Konko ai që largohet nga loja pas kartonit të dytë të verdhë duke e lënë Sevillan pa një lojtar dhe duke lënë të kuptohet se takimi kishte përfunduar, veçanërisht pas edhe një goli të tretë nga mysafirët, të shënuar nga Pedro (62’).

Sidoqoftë, disa minuta më pas Fredi Kanoute u gjend mirë para portierit Victor Valdes, duke shënuar për të ngushtuar disavantazhin në 3-1. Befasitë nuk mbaruan me kaq. Pas një goditje dënimi, Didier Zokora pasoi bukur te Luis Fabiano që e la me gishta në gojë mbrojtjen e Barcelonës me golin e shënuar nga një goditjeje e ulët (71’).

Pavarësisht se ndeshja u bë më emocionuese, Sevilla ishte e pafuqishme të kthejë rezultatin në të mirë të saj, pasi me një futbollist më pak në fushë dhe me Guardiolën që bëri zëvendësim taktik, topi i takoi në shumicën e kohës Barcelonës.

Barcelona me këtë fitore gjendet si kurrë më parë pranë titullit, pasi kaloi pengesën më të vështirë dhe përsëri është lidere me një pikë më shumë se Reali që ‘copëtoi’ Athletic Bilbaon. Barcelona në javën e fundit takohet me Valladolidin në Camp Nou, sfidë që vështirë se mund të përfundojë me befasi. Reali në anën tjetër udhëton te Malaga. /Telegrafi/