Telegrafi

Barcelona e nis me fitore ndaj Sociedadit epokën post-Messi

(Foto: Twitter/FC Barcelona)

Barcelona e ka nisur sezonin e ri 2021/2022 në La Liga në mënyrën më të mirë duke e mposhtur Real Sociedadin me rezultat 4-2.

Ishte sfida e parë e katalunasve pa Lionel Messin pas më shumë se dy dekada dhe ata ia dolën të arkëtojnë pikë të plota, përkundër se patën vështirësi kah fundi i takimit.

Gerard Pique ka vazhduar të jetë lojtari më i rëndësishëm për katalunasit në periudhën e vështirë. Pasi hoqi dorë nga paga e tij për ta ndihmuar klubin, qendërmbrojtësi spanjoll u bë golashënuesi i parë në epokën post-Messi duke realizuar pas asistimit nga Memphis Depay.

Në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+2), Blaugranët e dyfishuan epërsinë me golin e Martin Braithwaite, i cili u asistua nga Frenkie de Jong.

Braithwaite realizoi përsëri në pjesën e dytë (59’) duke e vënë skuadrën e tij në situatë të mirë për ta fituar takimin.

(Foto: Screenshot/Twitter/Goal)

Mirëpo, mysafirët nuk u dorëzuan dhe e bënë fundin dramatik duke i shënuar dy gola përmes Julen Lobete (82’) dhe Mikel Oyarzabal (85’).

Porse aty ishte Sergi Roberto për ta vulosur fitoren (90’+1) falë asistimit nga Martin Braithwaite për triumfin e Barcelonës me rezultat 4-2. /Telegrafi/