Barcelona u mund 2-1 nga Real Madridi në Camp Nou të dielën, por rezultati i El Clasicos nuk do ta rrezikojë punën e Ronald Koeman për momentin.
Pavarësisht humbjes së ndeshjes, performanca e katalunasve nuk u konsiderua si e dobët, por rezultatet e tre ndeshjeve të ardhshme, pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e stafit stërvitor.
Barcelona mund të lejohet të humbasë një El Clasico, por nuk do të ketë justifikime në rast se ata humbasin pikë ndaj kundërshtarëve teorikisht më të dobët si Rayo Vallecano , Alaves dhe Dynamo Kiev.
Dy ndeshjet në La Liga do të shërbejnë si një shkallë për t’u ngjitur në tabelë dhe për të arritur vendet e Ligës së Kampionëve pasi aktualisht janë në vendin e nëntë, me ndeshjen në Kiev që duhet fituar, pas humbjes së tyre ndaj Bayern Munich dhe Benficas.
Bordi i drejtorëve të Barcelonës kanë vendosur besimin e tyre në Koeman, por ata janë të bindur se e ardhmja e tij varet edhe nga rezultatet e ekipit.
Vështirësitë e Koeman
Nën drejtimin e trajnerit holandez, Barcelona po përballet me kundërshtarë të fortë si Bayern Munich, Atletico Madrid, Real Madrid dhe Paris Saint-Germain.
Në dhjetë ndeshje kundër klubeve elitare, Koeman ka marrë vetëm një fitore, një fitore 2-0 si mysafir ndaj Juventusit sezonin e kaluar, dy barazime kundër Atleticos, respektivisht PSG-së dhe shtatë humbje.
Sevilla është e vetmja skuadër e fortë spanjolle kundër së cilës Barcelona ka arritur të rrëmbejë fitore nën drejtimin e Koeman, pasi mundi skuadrën andaluziane si në La Liga ashtu edhe në Kupën e Mbretit sezonin e kaluar. /Telegrafi/