Site icon Telegrafi

Barcelonës i duhen edhe 70 milionë euro para 30 qershorit, por lojtarët e tyre nuk i do askush

Barcelona në fillim të sezonit kishte vendosur që duhet të shiteshin disa lojtarë për të arritur shumën e 124 milionë eurove, që duhen për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Këtë shifër Barcelona e kishte arritur edhe në edicionet e mëparshme kur kishte ardhur fjala te shitjet.

Sezonin e shkuar largimet e Malcom dhe Sergi Palencia, sollën 10 milionë euro nga huazimet, ndërsa aty futet edhe Philippe Coutinho, i cili i kushtoi Bayern Munich 8.5 milionë euro me një mundësi blerje 120 milionë euro.

Në atë kohë kishte optimizëm që Bayern do ta blinte lojtarin, por realiteti tani është tjetër.

Disa para klubi mblodhi me opsionet e blerjes së detyrueshme, si Abel Ruiz, Carles Perez, Alejandro Marques dhe largimi i Jean-Clair Todibo në huazim, ku morën afro 30 milionë euro nga këta lojtarë.

Para pritet të sjellë Marc Cucurella, pasi Getafe tashmë e ka informuar Barcelonën që do të paguajnë 6 milionë euro.

Në total, të gjitha bëjnë 54 milionë euro, ndërsa duhen edhe 70 milionë euro të tjera të mbetura.

Lojtarët e huazuar që nuk i do askush 

Marrëveshja që mund të kishte sjell parët, ajo e Coutinho të Bayernin, siç duket është përjashtuar si mundësi, dhe tani askush nuk dëshiron të paguajë 120 milionë euro për brazilianin.

Barcelona tani ka bërë një zbritje dhe 80 milionë euro do të ishin mjaftueshëm për ta.

Shuma e madhe dhe kriza ekonomike do të bëjë që Coutinho të qëndrojë në Camp Nou, ose do të huazohet sërish.

Barcelona shpreson të fitojë para nga Todibo, me Schalken që e ka mundësinë e blerjes për 25 milionë euro edhe pse deri tani klubi ka hezituar të paguajë këtë tarifë.

Moussa Wague, ndërkohë, mund të shitet te Nice për 10 milionë euro, por as këta duket se nuk do të paguajnë aktualisht.

Për fund klauzola e lirimit prej 16 milion eurosh e Rafinhas do të hyjë në fuqi nga vera, një çmim që do të ishte i përballueshëm për shumicën e klubeve.

Me shitjen e tij (Rafinhas) dhe të Tobido e Wague, Barcelona do të afrohej te shifra prej 70 milionë euro totale që duhen.

Nëse këto nuk do të ndodhin, atëherë shitja e ndonjë nga lojtarët kryesor do të jetë e pashmangshme, pasi rrezikohet buxheti.  /Telegrafi/

Exit mobile version