Telegrafi

Barcelona bën foton e skuadrës me punonjësit e klubit

Barcelona rikthehet në fushë, këtë herë për foton zyrtare të sezonit.

Skuadra e parë ku përfshihet edhe stafi drejtues, zbriti në fushën stërvitore “Tito Vilanova” bashkë me stafin duke zgjedhur një mënyrë origjinale për të treguar se ky është një klub i bashkuar.

Të gjithë përpara aparatit fotografik, edhe ata që gjatë gjithë vitit punojnë prapa skenës.

Lionel Messi u shfaq mes në mesin e grupit, pavarësisht faktit se i duhet të qëndrojë pushim absolut për t’u rikuperuar sa më shpejt.

26 pjesëtarë të stafit iu bashkuan lojtarëve dhe trajnerit Luis Enrique. Xhevahirtë e fotos zyrtare ishin dy trofetë e fituar sezonin e shkuar, La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës.

Një gjest i rrallë për futbollin modern edhe pse Barcelona nuk e ka fshehur asnjëherë se ndjek një filozofi ndryshe nga pjesa më e madhe e klubeve evropiane.

“Më shumë se një klub” është logoja zyrtare e katalanasve që kërkojnë të vënë theksin se Barcelona është një familje e madhe dhe sukseset në fushë nuk u dedikohen vetëm lojtarëve, por gjithë punonjësve që japin kontributin e tyre për një prej simboleve më përfaqësues të Katalonjës, Spanjës dhe futbollit botëror.