Telegrafi

Barcelona arkëton pikë të plota ndaj Mallorcas

(Foto; Twitter/Screenshot/FC Barcelona)

Barcelona ka regjistruar fitore prej 2-1 përballë Mallorcas në Camp Nou, në ndeshjen e javës së 34 në La Liga.

Një harkim fantastik të Jordi Albas e pranoi Memphis Depay dhe e dërgoi topin në rrjetë (25’), ndërsa ky ishte goli i vetëm në pjesën e parë.

Në gjysmën e dytë, Sergio Busquets reagoi më mirë duke pranuar një top në vijë të zonës, krijoi hapësirë dhe e dyfishoi epërsinë (54’).

Në minutën e 73-të, Ferran Torres e futi topin në rrjetë, mirëpo festa u ndërpre dhe pas konsultimit të VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

(Foto: Twitter/FC barcelona)

Antonio Raillo e ngushtoi rezultatin në minutën e 79-të duke bërë që Blaugranët të ishin më të kujdesshëm në minutat e fundit.

Vedat Muriqi i mungoi skuadrës mysafire në këtë takim, sepse duhej të pushonte për shkak të kartonëve të verdhë.

Objektivi i Barcelonës është sigurimi i një vendi në Ligën e Kampionëve për në sezonin e ardhshëm, duke qenë se Real Madridi e ka mbyllur çështjen e titullit.

Mallorca do ta vazhdojë garën për mbijetesë në katër xhirot e mbetura, pasi që ka vetëm një pikë më shumë se Granada që ndodhet në zonën e rrezikut për të rënë nga liga. /Telegrafi/