Do sillen në këtë edicion diskutime rreth mendjes njerëzore, madhështisë së saj që iu dha më së shumti llojit tonë, procesit në të cilin kalon njeriu gjatë të të menduarit. Do flitet edhe për mendjet kriminale. Por, edhe për pamundësinë e artikulimit në të folur të mendimeve që kemi!
Folës në këtë edicion do të jenë Granit Shatri, Anisa Hasani dhe Daut Demaku.
Graniti, një psikolog, psikoterapist, publicist dhe poet në zhvillim do të sjellë në BarCamp përvojën e tij dhe ecjen nga letërsia, mitologjia, religjioni, etnologjia tek psikologjia. Graniti aktualisht është koordinator i shëndetit mendor në burgjet e Kosovës dhe në këtë edicion të BarCampit do të sjellë edhe përvojën e punës me mendjet kriminale.
Anisa, dikur një vajzë që e kanë përqeshur për pamundësinë e shprehjes së fjalëve në mënyrë të saktë, sot një logopede e zonja, do të sjellë në BarCamp Prishtina rrugëtimin e saj që nuk ka kaluar edhe pa vështirësi. Anisa do të flasë për pamundësinë e artikulimit me fjalë të mendimeve që kanë fëmijët si dhe emocionet që ndjenë ajo çdo herë kur me punën e saj u ndihmonë atyre të tejkalojnë këto vështirësi.
Daut Demaku, një gazetar shumëvjeçar që vokacion ka dashurinë për letërsi e shkrim, do të flasë në BarCamp për ligjet themelore të mendjes, duke vënë theksin në përdorimin praktik të këtyre ligjeve për ndryshimin cilësor të jetës së njeriut. Thyerjet politike të viteve të nëntëdhjeta ia mundësuan që këtë dashuri ta orientojë në binarë të duhur. Ishte dhe mbetet thellësisht i bindur se pa njohjen e ligjeve të mendjes – nuk mund të krijohet letërsi artistike!
BarCamp është një aktivitet i hapur dhe në të mund të marrin pjesë të gjithë që ngacmohen nga kjo temë.