Barcelona ka reaguar për mrekulli në ndeshjen kundër Borussia Moenchengladbachut, për të arkëtuar pikë të plota edhe në xhiron e dytë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
Katalunasit fituan me rezultat 2-1 në Borussia Park, në ndeshjen e vlefshme për Grupin C.
Për befasinë e të gjithëve, ishte skuadra nikoqire që realizoi e para. Thorgan Hazard i gëzoi tifozët vendas në minutën e 34 dhe me epërsi minimale skuadrat shkuan në pushim.
Mirëpo, ndryshe ndodhi në pjesën e dytë. Blaugranët ia dolën të përmbysnin gjithçka dhe ta fitonin ndeshjen.
Fillimisht, Arda Turan e barazoi rezultatin (65’), ndërsa Gerard Pique shënoi golin e fitores (74’).
Me këtë fitore, Barcelona zhvendoset e vetme në krye të Grupit C me gjashtë pikë, dy më shumë se Manchester City që mban vendin e dytë. /Telegrafi/