Telegrafi

Barca është po ajo e vjetra!

Si në fitoren e kaluar prej 5-2 ndaj Atletico Madrid, edhe në takimin e fundit ylli i ndeshjes ishte Lionel Messi, që shënoi po dy gola duke e çuar në pesë numrin e shënimeve pas katër javësh në La Liga.

Serinë e golave e hapi përforcimi i verës Zlatan Ibrahimovic që shënoi pas 20 minutash lojë, ndërsa pas edhe katër minutash, Lionel Messi po ashtu e përfundoi një aksion të shkëlqyeshëm me shënim.

Hovi i Barcelonës vazhdoi dhe pas edhe tre minutash tjera (27’) Gerard Pique trefishoi epërsinë e mysafirëve, rezultat me të cilin përfundoi pjesa e parë.

Blaugranët vazhduan lojën atraktive edhe në pjesën e dytë, që u shpërblye me një gol të katërt, i dyti nga Lionel Messi (63’), që shmangu me lehtësi gjithë mbrojtjen vendase për të çuar topin në këndin e djathtë të portierit Tono.

Vendasit u mjaftuan me një gol të vetëm të bukur të shënuar nga Oscar Serrano në minutën e 72-të të ndeshjes.