Ndeshja e të parit dhe ekipit që nuk ka pësuar humbje qe nëntë javë u mbyll me rezultat të barabartë 1:1. Me brohoritjet, “Ne jemi vëllezër”, “Vushtrria, mirëserdhët” janë pritur vushtrriasit në Skenderaj, të cilët janë përgjigjur në të njëjtën mënyrë.
Udhëtuesit nga Vushtrria kanë nxjerrë një pikë në takimin me Drenicën, por edhe sikur të fitonin nuk do të ishte pa meritë, pasi që vetëm në 20 minutat e parë të takimit (13’, 17’, 18’) krijuan tri raste ideale për të shënuar, por në të tri rastet Labinot Osmani nuk ishte i suksesshëm. Mirëpo këtë në tentimin e parë e bënë vendasit në minutën 30’ nëpërmjet Hysen Tahiraj, i cili gjuan saktë për epërsinë vendase.
Trajneri i Drenicës, Afrim Jashari ka “hedhur gurë e dru” mbi arbitrin Nuza, të cilin e quajti të paaftë për ta drejtuar një derbi. “Ai (Nuza) duhet t’i kalojë edhe shumë ndeshje për t’ia dhënë mundësinë ta drejtojë një derbi. Nuk them që ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultat, por nuk ka qenë në nivel.
Ndërkaq, sa i përket takimit, mendoj se rezultati është real, duke pasur parasysh rrjedhën. Pranuam gol në minuta e fundit, por në përgjithësi rezultati është real”, tha Jashari.
Goli i pranuar nuk i dekurajoi vushtrriasit, pasi që ata vazhduan të sulmojnë dhe kërkojnë barazimin. Në minutën 38’ Lushtaku nxjerr topin nga vija fatale, pas një gjuajtje të Zenelit.
Edhe në pjesëlojën e dytë i njëjti tregim, mysafirët këmbëngulën të shënojnë. Dhe kjo u arrit pesë minuta para përfundimit të ndeshjes, pasi që më parë Ahmeti e Zeneli huqën nga pozitat e pastra. Kera shpërtheu nga ana e djathta e shërbeu Zenelin brenda zonës, i cili nuk e pati vështirë ta dërgojë topin në rrjetë 1:1.
“Unë një pikë të fituar i konsiderojë dhe e vlerësojë si tri pikë, pasi që në Skenderaj nuk është lehtë asnjëherë, sidomos tani kur Drenica është në formë të jashtëzakonshme. Në pjesën e dytë kemi dominuar plotësisht, krijuam shumë raste, të cilat nuk i realizuam, përveç njërës, e cila edhe na e solli një pikë, me të cilën përsërisë se jam shumë i kënaqur”, tha trajneri i Llamkos Kosovës, Ismet Munishi. /Zëri/Telegrafi/