Me rezultat të barabartë (1-1) është mbyllur ndeshja e mbetur nga java e 32-të në Ligën Premier ndërmjet Brighton & Hove Albion dhe Manchester City.
Në sfidën e zhvilluar në American Express Community Stadium, vendasit ishin në kërkim të pikëve të plota, meqenëse duan një vend në Ligën e Evropës, derisa Citizens ishin pa ndonjë objektiv, pasi tashmë e kanë fituar titullin e Ligës Premier.
Rezultati u zhbllokua me golin e Phil Foden (25’), i cili u asistua nga Erling Haaland.
Nikoqirët ia dolën të riktheheshin gjatë gjysmës së parë duke i barazuar shifrat me golin e Julio Enciso (38’).
Gjatë kësaj ndeshjeje u anuluan tre gola (dy për vendasit dhe një për mysafirët) pas konsultimit të VAR-it.
Pas kësaj pike të fituar, Brighton & Hove Albion siguron një vend për Ligën e Evropës për edicionin e ardhshëm (2023/2024). /Telegrafi/