Në Kosovë çdo vit po shumëfishohet numri i pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, kurse deri tani në vendin tonë 126 mijë prona janë regjistruar në emër të grave.
Nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, kanë bërë të ditur për Telegrafin se, duke përfshirë pronësitë individuale dhe ato që i kanë në bashkëpronësi, numri i pronave të regjistruara në emër të grave në Kosovë është mbi 138 mijë sosh.
Numri i njësive kadastrale të regjistruara me të drejtën e pronës apo posedim i përbashkët në Kosovë tani është 12 mijë e 158, teksa vetëm rreth një vit më parë ky numër nuk arrinte as 8 mijëshin.
Sipas statistikave që Telegrafi kishte siguruar nga AKK-ja në dhjetor të vitit 2020, ishin 7 mijë e 417 prona në Kosovë të regjistruara si prona të përbashkëta të bashkëshortëve.
Ndërkaq ky numër është rritur dukshëm gjatë vitit 2021, ose më saktësisht është rritur për 4 mijë e 741 prona më shumë në shkurt të vitit 2022, sesa që ishin në dhjetor të 2020.
“Deri me tani në tërë territorin e Republikës së Kosovës kemi 12.158 njësi kadastrale të regjistruara me të drejtën Pronë/Posedim i përbashkët dhe kemi 138.600 prona në emër të grave, me të gjitha llojet e të drejtave. (Përfshi pronësi individuale, bashkëpronësi etj)”, thuhet në përgjigjen që Agjencia Kadastrale e Kosovës ka dhënë për Telegrafin.
Në rritjen e numrit të pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve ka ndikuar edhe udhëzimi administrativ, i fuqizuar në vitin 2016 e i cili stimulon regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve në regjistrat publik.
Sipas të dhënave të AKK-së, para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, numri i pronave të regjistruara me pronësi të përbashkët ishte dukshëm më i ulët.
“Para vitit 2016 kanë qenë 150 prona të regjistruara me të drejtën Pronësi/Posedim i Përbashkët”, thonë nga AKK-ja.
Agjencia Kadastrale e Kosovës nuk mund të bëj regjistrimin e të drejtave pronësore pa ekzistimin paraprak të një akti juridik të plotfuqishëm që parasheh mënyrën e regjistrimit të pronësisë.
“Regjistrimi i pronësisë si pronar të përbashkët regjistrohet në kadastër duke zbatuar aktin juridik – kontratën për bartjen e paluajtshmërisë, aktgjykimin për fitimin e pronësisë së përbashkët apo çfarëdo vendimi tjetër gjyqësor apo administrativ i cili përcakton fitimin e pronësisë së përbashkët”, kanë thënë për Telegrafin nga AKK-ja.
Ndryshe, në Republikën e Kosovës, nga viti 2016 çështja e regjistrimit të pronës pas lidhjes së kurorës nga një çift është e rregulluar me Udhëzim Administrativ i cili ka për qëllim që të stimuloj regjistrimin e pronave të paluajtshme të përbashkëta në emër të dy bashkëshortëve.
Regjistrimi i pronës së përbashkët nuk është i detyrueshëm, edhe në rastet kur prona nuk është e regjistruar në dokumente si e përbashkët, nëse ajo është formuar pas martesës së një qifti, atëherë u takon të dyve. /Telegrafi/