Site icon Telegrafi

Baraliu: Pas dorëheqjes së Haradinajt, Thaçi duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duhet t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

“Zgjedhjet duhet të shpallen nga presidenti i Kosovës në afat kohor prej 45-ditësh, duhet të kenë karakterin e zgjedhjeve të parakohshme ose të jashtëzakonshme. Brenda afateve ligjore ato duhet të organizohen nga sekretariati i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve”, ka thënë Baraliu për Telegrafin.

Baraliu tha se duhet të bëhet verifikimi i elektoratit ndaj subjekteve dhe të ketë qeverisje dhe institucione të reja.

Ndryshe, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje sot nga pozita e tij si kryeministër i Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim si i dyshuar, dhe se gjatë javës së ardhshme do të udhëtojë për në Gjykatën Speciale.

Lexo po ashtu Haradinaj i emocionuar njofton dorëheqjen - javën e ardhshme do të udhëtojë për Hagë

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falënderoj për besim dhe përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci”, ka thënë Haradinaj para mediave sot, transmeton Telegrafi.

Ai ka shtuar se nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe  se ai nuk e poshtëron asnjëherë.

“Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, ka thënë ai.

Haradinaj ka pohuar se pastërtia e tij dhe e luftës së UÇK-së, është konfirmuar nga dy aktgjykime dhe se nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë./Telegrafi/

Exit mobile version