Juristi dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, në Zona B të Klan Kosovës, ka folur për zgjedhjen e Hashim Thaçit si president, duke thënë se duhet të shikohen shumë fakte lidhur me seancën ku ky i fundit është zgjedhur.
“Rasti i largimit grupor përveç disa individëve, tri ditë para mbajtjes së asaj seancës duhet të bëhej ftesë, e opozita ka thënë që nuk i kanë marr ftesat. Ftesat iu dërgohen një nga një deputetëve, jo përmes sms-ve, emailave, postës elektronike, komunikimi i drejtëpërdrejtë është ai primar ndonëse nuk përjashtohet as kjo formë e komunikimit”, tha ai.
Sipas Baraliut, duhet të shihet edhe çështja e caktimit të anëtarëve të Komisionit ku ishte i caktuar nga opozita anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda.
“Çështja e caktimit për anëtar të komisionit nga opozita ku ishte Ilir Deda në komision, pastaj mënyra si ai është tërhequr, pastaj si është nominuar prapë, ai ishte i deleguar atje si anëtar i opozitës”.
Ai ka thënë se për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese do të jetë në sprovë duke shtuar rasti i Pacollit dhe Thaçit janë të ngjashëm.
“Në mes të normës juridike që thotë 80 deputetë të pranishëm e ata kanë qenë, por Gjykata Kushtetuese në rastin Pacolli thotë 120 deputetë duhet të jenë të paraqitur. Kushtetuesja duhet ta mendojë mirë që të mos marrin vendime të kundërta në një situatë të njëjtë juridike.
Sipas tij, duhet pasur kujdes se çfarë precedenti po krijohet.
“Është mirë të reflektojnë të dy palët derisa njëra pretendon me çdo kusht të ketë zgjedhje edhe për shkak të shkeljes së Kushtetutës nga dy marrëveshje, në anën tjetër kemi një indiferencë gati të padurueshme që thonë se në asnjë mënyrë se zgjedhje do të kemi në 2018”.
Ai ka folur për rastin e zgjedhjes së Behxhet Pacollit president dhe situatën juridike që ishte krijuar pas zgjedhjes së tij në këtë post.
“Rasti i Behgjt Pacollit i 22 shkurtit 2011, i rënies së tij nga Gjykata Kushtetuese është një precedant procedural. Rasti Pacolli është krijuar një precedent, gjatë kuorumit është dashur të jenë 120 deputetë përveç atyre që janë larguar me leje”
Baraliu është shprehur se në këtë rast ka pasur shumë shkelje.
“Shkelja e parë është mungesa e kuorumit që nuk ka qenë në rregull, ndërsa shkaku i dytë është shkaku i pauzës që kryetari i Kuvendit nuk e ka kërkuar, por një grup parlamentar, në atë rast PDK-ja. Procesi i votimit, sipas Gjykatës Kushtetuese është ndërprerë kundër Kushtetutës”.
Sipas tij, Pacolli ka pasur të drejtë të kthehet sërish, por ai nuk ka dashur.
“Ai ka rënë njëherë është rrëzuar, ai ka pasur të drejtë të kthehet, por është e drejta e tij që nuk ka dashur të kthehet, ngjashëm si Sejdiu që ka dhënë dorëheqje, sepse Kushtetua e njeh mundësinë vetëm të shkarkimit, por jo vetëm të dorëheqjes e ja që ai për shkaqe morale ka dhënë dorëheqje”.
Ai në fund ka thënë se me dialog duhet të zgjidhen të gjitha problemet dhe të zhbllokohet kjo gjendje institucionale.
“Nuk e kemi reflektimin e asnjërës palë e po çuditem si nuk po reflektojnë sidomos pozita që e ka përgjegjësinë”, tha ai.