Serbët ma parë kishin bllokuar kompanitë shqiptare të rindërtojnë shtëpitë e shqiptarëve të djegura gjatë luftës.
Skender Rama së bashku me banorët e tjerë të lagjes Kroi i Vitakut, në Mitrovicën e veriut, nuk po e lejojnë ndërtimin objektit gjashtë katesh dedikuar për banorët e komunitetit serb. Ata i kanë pengua punimet e një kompanie serbe.
“Kur e kam parë që serbët kanë ardhur këtu për të filluar ndërtimet kam reaguar menjëherë. I kam dalë makinerisë para dhe kam bllokuar rrugën duke u thënë pa më shkelë mua nuk mund të vazhdoni. Nuk ka pasur reagime nga ana e tyre, janë tërhequr”, tha për RTV Dukagjinin, banori i kësaj lagje Skender Rama.
Rama thotë se banorët serbë që aktualisht po jetojnë në këtë lagje, nuk janë nga Mitrovica dhe se as serbët tjerë që parashihet të vinë nuk janë nga kjo lagje.
“Ditën që kanë ardhur kompanitë shqiptare për të ndërtuar shtëpitë private të shqiptarëve që kanë qenë të djegura, kanë dalur serbët dhe kanë demoluar makineritë”, thotë me tej Skender Rama.
Naser Avdiut thotë se ata vazhdimisht janë nën presion dhe nuk ndihen të qetë në vendbanimin e tyre. Sipas tij po ne të njëjtën lagje nuk janë lejuar të ndërtohen as shtëpitë e banorëve shqiptarë të shkatërruara gjatë luftës.
“Ne banorët nuk jemi të pajtimit të bëhen ndërtime të reja nëse nuk lejohen të ndërtohen edhe shtëpitë e shqiptarëve”, tha banori Naser Avidu.
Ndonëse nuk është në përgjegjësin e tij, banorët e këtushëm i dërguan një peticion kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtirit.
Kryetari Bahtri me këtë rast ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmerren masa, para se të ndodhë ndonjë e keqe.
“Ftoj Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha organet shtetërore, që të merret një iniciativë dhe të ndërprehet ky aksion për vendosjen e mijëra qytetarëve që nuk janë fare të Kosovës dhe vendosjen në atë pjesë të banuar me shqiptarë dhe njëkohësisht kisha kërkuar që të kthehen shqiptarët sa nuk është bërë vonë”, tha Agim Bahtiri.
Ndryshe, pak kilometra nga Kroi i Vitakut është duke u ndërtuar vendbanimi Lugina e Diellit me qindra shtëpi. Projekt ky i financuar nga Serbia për kthimin e serbëve të shpërngulur./Telegrafi/