Jeta e qytetarëve që jetojnë në disa ndërtesa të Çairit rrezikohet nga fasada që bie nga ndërtesat ku ata banojnë. Rreziku është më i madh kur moti është i lig dhe bie shi.
Banorët thonë se bien pjesë të mëdha të fasadës nga ndërtesa. Qytetarët shprehen të shqetësuar për këtë fakt. Ata thonësei kanë alarmuar zyrtarët për këtë që po ndodh, por masat ende nuk janë marrë.
“Është gjendja alarmante pasi, kjo fasadë mundë të rrëzohet dhe mund t’i shkaktojë aksident ndokujt, mos e bëftë Zoti ndonjë fëmijë apo plakë. Pra, ekziston rreziku permanent në çdo kohë të rrëzohet. Desha ta alarmoj situatën, pasi si duket askush asgjë s’po ndërmerr. Deri tani kam reaguar disa herë, më kanë premtuar se kjo situatë do të zgjidhet brenda 2-3 ditëve. Gjatë muajit prill e paralajmërova, tani jemi në muajin gusht dhe ende asgjë nuk është riparuar. Më premtuan prapë që brenda javës do të riparohet, por fatkeqësisht gjërat po ngelin të njëjta”, tha njëri nga qytetarët e lagjes.
Qytetarët thonë se kjo është shumë e rrezikshme për banorët që jetojnë në atë pjesë, por gjithashtu është e rrezikshme edhe për veturat që parkohen para ndërtesës. Ato thonë se fajin për këtë e mbajnë edhe inspekcionet të cilët lejojnë që çdokush ta mbart emrin “mjeshtër”.
“Shikoni, këto fasadat dhe çatitë që i vendosin janë aq të pasigurta, që nëse fryn ndonjë erë e fortë, ke frikë të lëshosh fëmijët të dalin jashtë sepse nuk e di nga cila pjesë do të bjerë fasada. Veturat, po ashtu nuk janë të sigurta. Mendoj që inspekcionet e mbajnë fajin sepse lejojnë që çdokush që ka mbetur pa punë, të bëhet mjeshtër”, tha një qytetar tjetër.
Një qytetar i cili nuk deshi të prononcohet para kamerës, tregoi se si para disa ditëve duke qëndruar para ndërtesës kishte rënë një pjesë e fasadës dhe gati e kishte goditur atë, po për fat të mirë ai kishte shpëtuar.
Qytetarët i bëjnë thirrje të gjithë zyrtarëve përgjegjës për riparimin e ndërtesës,të marrin masa para se të ndodhë ndonjë tragjedi. Ne tentuam të flasim me përgjegjësit, mirëpo asnjëri nuk deshi të prononcohet./Telegrafi/