Site icon Telegrafi

Banorët: Kryetari i Graçanicës e nxiti djegien e billbordit “Liria ka emër”

Djegia e billbordit me emblemë të UÇK-së në hyrje të Graçanicës, sipas Granit Gashit, zëvendës kryesues në Kuvendin Komunal është bërë për të nxitur konflikt në mes etnive.

“Arsyeja nuk ka qenë djegia e billbordit por që të shkaktohet nxitja e dhunës ndërmjet etnive që jetojnë në Komunën e Graqanicës. Kryetari Popoviq prej disa ditësh po bënë deklarata nxitëse apo kisha thënë kriminale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Granit Gashi.

Edhe Qemajl Ajeti, banor i fshatit Kishnicë, po e fajëson kryetarin Srgjan Popoviq se ka nxitur djegien e banorit. Ai shpreson që rasti të zbardhet sa më shpejt.

“Po shpresojmë që nga organet kompetente të zbardhet sa më shpejt ky rast. Kamerat ekzistojë dhe presim nga organet kompetente të zbardhet se kush e ka bërë këtë gjest makabër. Këta me neve asnjëherë nuk kanë pasur problem, por ne me ta po. Vetëm në këtë lokalitet nga lufta e fundit i kemi 13 të vrarë. Askush nuk është kapur për ato vrasje. Këtë incident si duket e ka nxitur kryetari i Graçanicës Popoviq. Unë e pyes atë a ka folur ndonjëherë me banorët lokal dhe t’i pyes se kush i ka vrarë këta 13 qytetarë në luftë”, deklaron banori Qemajl Ajeti, përcjell Telegrafi.

Zëdhënësja për informim në Policinë e Kosovës, Flora Ahmeti, për RTV Dukagjinin deklaron se incidenti ka ndodhur herët në mëngjes dhe se tashmë kanë filluar hetimet.

“Sot kemi pranuar informatën lidhur me dëmtimin e  një tabele reklamuese (Billboard) që ka qenë e vendosur në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që dëmtimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Aktualisht është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast.”

Dje gjatë ditës kryetar i Graçanicës, Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe, Popoviq kishte kërkuar heqjen e billbordit “Liria ka emër” në Kishnicë, pasi sipas tij, “banorët e Graçanicës ishin të shqetësuar”./RTV Dukagjini/Telegrafi/

 

Exit mobile version