Site icon Telegrafi

Banorët fotografojnë arushë në rrugën Shipkovicë – Brodec

Disa banorë nga Tetova kanë arritur të fotografojnë arushë në rrugën Brodec – Shipkovicë.

Fotografitë po shpërndahen në rrjetet sociale me paralajmërim për kujdes për shkak se bëhet fjalë për kafshë e egët që shpesh mund edhe të sulmojë njerëz.

Anëtarët e shoqatës për mbrojtjen e arushave ‘Shari Bear’ për këto kafshë të rralla dhe të mbrojtur kryejnë aktivitete të ndryshme për t’u ndihmuar të mbijetojnë në kushte të këqija në mal. Kryetari Irfan Selimi thotë se arushat nuk janë të rrezikshme.

“Ata frikësohen më shumë nga kafshët tjera dhe janë të rrezikshme vetëm kur janë të urritura. Kur nuk mund të kenë gjetur ushqim, arushat dinë të afrohen në vendbanime ku ka njerëz për ushqim. Nëse janë të ushqyera nuk dinë të shkaktojnë problem. Kemi takuar në mal dhe nuk kemi pasur ndonjë rrezik. Ata kur janë të ngopura nuk janë rrezik”, sqaron Selimi.

Shoqata ‘Shari Bear’ vepron në rrethinën e maleve rreth fshatit Dobrosh ku sipas evidencës së tyre ka 12 arusha.

“Në male në disa vende u kemi vendosur ushqim. Kemi vendosur edhe kamera ku shohim se si po kalojnë”, tha Selimi.

Arushat në Maqedoni me Ligjin për gjueti i vitit 1996 janë të mbrojtura dhe nuk mund të gjuhen./Telegrafi/

Exit mobile version