Banorët e Zahaqit të Pejës do të protestojnë sot për shkak të vendosjes së ndarësve të traseve në këtë fshat nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, gjë e cila po ua vështirëson dukshëm jetën atyre.
Sipas tyre, vendosja e këtyre barrierave u pamundëson qytetarëve të kësaj ane të kryejnë shërbimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare të bashkësisë lokale, në zyrën komunale, qasjen në shtëpinë e kulturës, dërgimin e fëmijëve në shkollë, bizneseve të kryejnë veprimtarinë e tyre tregtare, qasjen në sallën e sporteve që është në ndërtim e sipër dhe qytetarëve u duhet që të bëjnë minimum 5-7 km më shumë që të shkojnë në shtëpitë e tyre.
“Ky veprim i Ministrisë së Infrastrukturës ka paralizuar jetën e banorëve të zonës, pasi për të kaluar nga njëri fshat në tjetrin duhet të shkohet në fund apo fillim të segmentit dhe se rrethet gjenden vetëm në afërsi të bizneseve të ‘Elkos’. Përveç tjerash, e njëjta ministri ka hequr edhe stacionin e pritjes së autobusëve nga qendra në Zahaq, duke e larguar atë për më shumë se 2 km”, thuhet në deklaratë.
Njoftimi i plotë:
Ju njoftojmë se nesër me datën 16.07.2019, do të protestohet në fshatin Zahaq të komunës së Pejës, nga banorët e fshatrave të kësaj bashkësie lokale.
Kjo protestë organizohet pasi në segmentin Zahaq-Pejë, gjegjësisht në fshatin Zahaq janë vënë nga Ministria e Infrastrukturës ndarëset e traseve (si në foto) duke vështirësuar jetën e banorëve. Vënia e këtyre barrierave u pamundëson qytetarëve të kësaj ane që të kryejnë shërbimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare të bashkësisë lokale, në zyrën komunale, qasjen në shtëpinë e kulturës, qasjen për dërgimin e fëmijëve në shkollë, bizneseve të kryejnë veprimtarinë e tyre tregtare, qasjen në sallën e sporteve që është në ndërtim e sipër dhe qytetarëve u duhet që të bëjnë minimumi edhe 5-7 km më shumë që të shkojnë në shtëpitë e tyre.
Ky veprim i Ministrisë është bërë në segmentin ku konsiderohet sipas ligjit Nr. 05/L-088, rrugë që kalon nëpërmjet vendbanimit dhe shpejtësia është e kufizuar prej 50km/h. Sipas po të njëjtit ligj vënia e barrierave të tilla rrugore nuk parashihet në zonat me banim dhe se çdo veprim tjetër i ministrisë në rrugët përgjatë vendbanimeve duhet të konsultohet me banorët bazuar në Kapitullin III, nenin 9, pikën 3.
Ky veprim i Ministrisë së Infrastrukturës ka paralizuar jetën e banorëve të zonës, pasi për të kaluar nga njëri fshat në tjetrin duhet të shkohet në fund apo fillim të segmentit dhe se rrethet gjenden vetëm në afërsi të bizneseve të ELKOS.
Përveç tjerash, e njëjta Ministri ka hequr edhe stacionin e pritjes së autobusëve nga qendra në Zahaq, duke e larguar atë për më shumë se 2 km.
Këto nuk janë shkeljet e vetme që ka bërë Ministria e Infrastrukturës ndaj banorëve të kësaj zone, pasi po e njëjta ministri akoma nuk ka bërë as shpronësimin e pronave dhe dëmeve anësore që ia kanë bërë banorëve gjatë ndërtimit të rrugës.
Protesta do të filloj nesër nga ora 09:00 dhe do të përfundoj në orën 11:00. /Telegrafi/