Përfaqësuesit e veriut të Mitrovicës në një konferencë për media kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e sigurisë për banorët shqiptarë.
Nazmi Ismajli, kryetar i “Këshillit të Veriut”, u shpreh sulmet ndaj shqiptarëve janë shpeshtuar gjatë muajit të fundit, duke treguar se nuk kanë liri të lëvizjes dhe siguri.
“Në veri kanë ndodhur shumë incidente. Që një muaj kanë filluar sulmet kundër shqiptarëve, ka pasur rrahje, djegie, dhe në veri nuk ka siguri. Çdokush që thotë se ka siguri atje, është e pavërtetë…Sot asnjë qytetar shqiptar nuk guxon me dalë në qendër të Mitrovicës te ‘Poleti’. Janë duke u penguar proceset e ndërtimit të shqiptarëve që kanë qenë të djegura gjatë luftës, kurse blloqet e banimeve serbe ndërtohen pa e pyetur askënd, pa leje”, ka thënë Ismajli.
Edhe Gani Hysenaj, i cili është anëtar i Kryesisë së ‘Këshillit të Veriut’, ka përmendur edhe gjendjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve që jetojnë në veri të vendit.
Hysenaj tha se sulmet ndaj shqiptarëve vinë nga strukturat paralele serbe.
“Gjendja ekonomike është e rëndë. Siguria është katastrofë. Përpara kemi pasur një patrullë të policisë që ka qenë e përbërë nga dy policë, një shqiptar dhe një serb, por ajo patrullë më nuk ekziston. Kam kërkuar disa herë nga institucionet shtetërore që të bëhet kjo, por nuk është arritur assesi. Sulmet vinë kryesisht prej strukturave paralele serbe, por ka indikacione që këto sulme vinë edhe nga pronarët serbë të furrave në veri, sepse po ndërlidhet me rastin e dëmtimit të furrave të shqiptarëve, edhe në ‘Lagjen e boshnjakëve”, tha ndër të tjera Hysenaj.
Ndryshe, organizata ‘Këshilli i Veriut’ përbëhet nga pesë përfaqësuesit e lagjeve të banuara me shqiptarë në veri të Mitrovicës, përkatësisht ‘Lagja e boshnjakëve’, ‘Lagja e doktorëve’, ‘Kodra e minatorëve’, ‘Lagja 7 shtatori’ dhe ‘Qendra’./Telegrafi/