Jo të gjitha pikat kufitare të Kosovës janë hapur gjatë ditës së sotme. Ato mund të hapen pas datës 20 qershor.
Nga pika kufitare e Qafë Morinës shumë qytetarë shqiptarë nuk u lejuan të futen në Kosovë.
Frank Bibaj, qytetar nga Tropoja sot nuk mundi të futej në Kosovë nga pika kufitare e Qafë Morinës.
“Kam bërë një plan që për nevoja të mia personale të shkojë në Kosovë. Nuk më lanë të futem. Nuk e di arsyen”, shprehet i zhgënjyer Frank Bibaj për RTV Dukagjinin.
Njëjtë si Franku e kanë pësuar edhe shumë qytetarët tjerë nga Shqipëria që nuk u lejuan të futen në Kosovë nga kjo pikë kufitare, përcjell Telegrafi.
E gjithë kjo ka ndodhur për shkak se me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë janë hapur vetëm pikat kufitare në Vërmicë, Kullë, Mërdare, Han i Elezit, Jarinje dhe Dheu i Bardhë.
Sipas komandantit policor të kësaj pike kufitare, Xhavit Lokaj, vendimi i institucioneve duhet të implementohet nga ta.
“Me vendim të fundit të Ministrit na është thënë se pika kufitare e Qafë Morinës të mos hapet për shtetasit tjerë pos qytetarëve të Republikës së Kosovës për shkak të pandemisë. Kjo pikë kufitare edhe për disa ditë tjera do të jetë e mbyllur për hyrje në Kosovë për shtetasit tjerë por atyre kosovarë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Xhavit Lokaj.
Vendimi për hapjen e të gjitha pikave kufitare tokësore do të bëhet në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike deri më 20 qershor./RTV Dukagjini/Telegrafi/