Telegrafi

Banorët e Shangait kanë parë diçka të pazakontë: Një ndërtesë 5-katëshe “duke ecur”

Banorët e Shangait që kalojnë nëpër rrethinën lindore të qytetit Huangpu në fillim të këtij muaji mund të kenë rastisur në një pamje të pazakontë: një ndërtesë “duke ecur”.

Kjo pasi që, sipas CNN, përcjell Telegrafi, një shkollë fillore 85-vjeçare është ngritur nga toka – në tërësinë e saj – dhe është zhvendosur duke përdorur teknologjinë e re të quajtur “makina e ecjes”.

Në përpjekjen e fundit të qytetit për të ruajtur strukturat historike, inxhinierët bashkuan gati 200 bartës të lëvizshëm nën ndërtesën pesëkatëshe, sipas Lan Wuji, mbikëqyrësi teknik kryesor i projektit.

“Është si t’i vendosësh paterica ndërtesës që të mund të ngrihet në këmbë dhe më pas të ecë”, tha ai.

Ndërkohë pamjet tregojnë se si shkolla “ecën me vështirësi”, me hapa të vegjël.

Sipas një deklarate nga qeveria e rrethit Huangpu, Shkolla Fillore Lagena u ndërtua në vitin 1935 nga bordi komunal i ish-Koncesionit Francez të Shangait.

Ajo u zhvendos në mënyrë që të krijojë hapësirë për një kompleks të ri komercial dhe zyre, i cili do të përfundojë deri në 2023.

Punëtorët duhej të gërmonin së pari rreth ndërtesës për të instaluar 198 bartëse të lëvizshme në hapësirat poshtë, shpjegoi Lan.

Kështu që gjatë 18 ditëve, ndërtesa u rrotullua 21 gradë dhe u zhvendos 62 metra larg në vendin e saj të ri.

Zhvendosja përfundoi më 15 tetor, me ndërtesën e shkollës së vjetër që u bë një qendër për mbrojtjen e trashëgimisë dhe edukimin kulturor.

Projekti shënon herën e parë që kjo metodë e “makinës që ecë” është përdorur në Shangai për të zhvendosur një ndërtesë historike, tha deklarata e qeverisë. /Telegrafi/