Kanë kaluar dy ditë që banorët e rrugës “Musa Tolaj” – bllokut banesor A, në lagjen “Pejton” në Prishtinë, kanë mbetur pa energji elektrike.
Por, shqetësuese sipas qytetarëve të këtij objekti është fakti se ata nuk e dinë se kur do të sanohet problemi.
Njëri nga banorët ka thënë për Telegrafin se ka kërkuar sqarime nga KEDS, por ata sipas tij, fajin për këtë defekt e kanë hedhur të kompania e cila i ka ndërtuar banesat.
“Ne jemi pa rrymë tash e dy ditë. Kjo është e padurueshme dhe faji po mbetet jetim. Dikush duhet ta mbajë përgjegjësinë”, ka theksuar qytetari.
Telegrafi ka kontaktuar me kompaninë e cila ka ndërtuar kompleksin banesor, banorët e së cilit po përballen me problemin e rrymës elektrike.
Gani Mehmeti, pronar i “NARTEL” ka thënë se problemi nuk qëndron te kompania të cilën ai e drejton, por te rrjeti i stërvjetuar i KEDS-it.
Ai ka theksuar se ata kanë problem me furnizim me rrymë në atë objekt, pothuajse çdo muaj.
“Kabllot e vjetra dëmtohen prej kamionëve, prej transportit dhe nga punimeve që janë bërë aty. Kjo është përgjegjësi e KEDS-it, sepse ne e kemi paguar vetëm pëlqimin energjetik diku 40 mijë euro, për me na e sjellë furnizim cilësor”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, përgjegjësia e investitorrit është që rrjeti të vendoset prej trafos deri në objekt, duke shtuar se defekti nuk është në këtë relacion.
“Ata nuk janë në gjendje me gjetë defektin. Ju shkon një ditë ose dy derisa ta sanojnë problemin. Ka një vit e gjysmë që përsëritet kjo gjë e që po e vështirëson punën edhe për ne si investitor, por edhe për banorët”, ka shtuar Mehmeti. /Telegrafi/