Site icon Telegrafi

Banorët e Lubotenit kërkojnë të kthehet duhani i konfiskuar një ditë më parë

Një ditë pas aksionit policor kundër kontrabandës së duhanit, i zoti shtëpisë që u bastis dje nga Policia Financiare thotë se duhanin e kultivojnë brez pas brezi dhe kanë 3 hektarë të mbjellur. Duhanin që ia morën dje thotë se ka qenë i vitit të kaluar, kurse disa dënga që i kanë mbetur të grirë e të pa përpunuar, thotë se do ta paketoj për ta shitur me pakicë në treg sa për kafshatën e gojës. Banorët që merren me këtë veprimtari thonë se autoritet duhet ti dallojnë kultivuesit nga kontrabanduesit e duhanit.

“Duhanin na e kemi pasur tonin, se ata që e blejnë dhe e shesin, ata janë vet. Unë prej Greqisë nuk mund ta sjell duhanin. Jo bre bac, nuk është ajo. Po ata e sjellin vet, e shpërndajnë nëpër milet e pastaj shkojnë i bastisin kinse e gjetëm. Ata bëjnë bizneset e veta e jo për mu. Por neve na marrin kafshatën e bukës”, u shpreh një banor i fshatit Luboten.

Lexo po ashtu Policia Financiare: Aksioni në Luboten është kundër importimit ilegal të duhanit

Banorët e Lubotenit shprehen të traumatizuar nga forcat e shumta policore të përfshirë në aksionin e një dite më parë. Ata thonë se detyrohen ta shesin në pazare të vendit, për shkak se kombinati i duhanit nuk ua pranon.

“Ara është dëshmi ku është mbjell duhani dhe ku i ka djegur dielli të gjithë familjen që kanë punuar në ato ara. E mbledhin, e thajnë dhe normale që kanë drejtë kudo ta shesin, kush t’ju paguajnë më shumë, brenda Maqedonisë. Po jashtë, ka kufij, le t’i zënë e t’i dënojnë”,  theksoi një tjetër banor i Lubotenit.

Nga Komuna e Butelit thonë se sot kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë që të bëjnë çmos për t’ju kthehet duhanin e kultivuar nga vet fshatarët e Lubotenit. Ndërkaq, Kryetari i fshatit me disa prej banorëve të bastisur dje, kanë zhvilluar një takim në Drejtorinë e Policisë Financiare. Rexhep Imeri tha se banorët janë viktima të kontrabandisteve.

“Ndoshta disa persona mund të jenët ë keqpërdorur por nuk do të thotë se ata janë aktorët kryesorë. Shumica e atyre që pash dje prej syve të mi, ishte duhan i kultivuar në toka dhe nuk ishte ai që e kërkonin. Ka mundësi që Policia Financiare të ketë rastisur në një pjesë të vogël të atij prodhimi.”- deklaroi Rexhep Imeri, Kryetar i Fshatit Luboten.

Pas takimit me banorët, drejtori Arafat Muharremi kumtoi se nga bastisja e djeshme në 13 lokacione të Shkupit dhe rrethinës, target ka qenë zbulimi i rrjetit të kontrabandimit të duhanit kancerogjen.

“Qëllimi i aksionit të djeshëm nuk ishte tu konfiskohet duhani i prodhuar nga banorët e fshatit, por ai duhan që është importuar ilegalisht, i cili është i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve. Faktet flasin që mbi 95% e duhanit të konfiskuar dje ishte pikërisht duhan i kontrabanduar nga jashtë shtetit. Hetimet tona të mëhershme tregojnë se një grup personash fizik dhe katër firma kanë paketuar me makineri duhanin në 300, 500, 800 dhe 1.000 gram duke e tregtuar për shitje në gjithë shtetin.” – theksuan nga Policia Financiare.

Policia Financiare një ditë më parë zhvilloi aksion në fshatin Luboten gjatë të cilit konfiskoi 12 ton duhan dhe makineri për përpunimin e tij. Policia Financiare hedh dyshime për kontrabandimin e duhanit gjë që ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 7,5 milion euro. Nga Prokuroria Publike thonë se janë duke e proceduar rastin lidhur me konfiskimin e duhanit, por nuk është bërë asnjë kallëzim penal as nga Ministria Brendshme e as nga Policia Financiare./alsat/

Exit mobile version