Banorët e Hasan Begut sot kanë ndërprerë punën për ndërtimin e rrugës në këtë vendbanim, si shenjë proteste ndaj komunës së Gazi Babës, për ngushtimin e rrugës. Kryetari i bashkësisë lokale dhe këshilltari komunal kërkojnë që kjo rrugë të jetë në bazë të standardeve pasi që do të jetë e pa kalueshme nga dy automjete, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Këtu rruga është filluar me pese metra gjerësi, kushti që edhe dy makina të vogla nuk mundet të kalojnë edhe kemi pritë se do të marrin masa Komuna, organet komunale,por deri më tash nuk kemi parë asgjë pozitive”, tha Nazmi Hamiti, kryetar i bashkësisë lokale.
“Neve si këshilltar askush nuk na ka pyetur për asgjë dhe është diçka çka shihet dhe ne mëngjes e bënë edhe një provë kur një furogn dhe një kamion e bëmë paralel dhe e pamë se nuk kalojn, kurse ky vendbanim ka 12 mijë banorë”, u shpreh për Alsat-M, Fejzulla Zendeli, këshilltar komunal.
Banorët dyshojnë se kjo rrugë është duke u punuar pa asnjë standard, dhe ata pas pritjeve disa mujore për ndërtimin e të njëjtës nuk do të lejonë që kjo rrugë të mos zgjerohet. Sipas banorëve për shkak të punës në këtë rrugë deri më tani fëmijët udhëtojnë mbi 2 kilometër për të shkuar në shkollë. Punët për ndërtimin e rrugës në lagjen Hasan Beg kanë filluar para pesë muajve./Telegrafi/