Banorët e fshatit Hade të Obiliqit të mbështetur nga Forumi për Iniciativa Qytetare kanë protestuar për vonesën e procesit të zhvendosjes dhe anashkalimin e këtij fshati për shkak të dislokimit.
Përfaqësuesi i fshatit Hade, Ragip Grajqevci, tha se nga vitit 2004 këtyre banorëve u është premtuar zgjidhje dhe zhvendosje, por kjo nuk ka ndodhur .
Sipas tij, jeta e banorëve në këtë fshat është e rrezikuar në çdo moment.
“Projekti për zhvendosjen tonë ka ngelur, nëse anashkalohemi edhe këtë herë nga projekti i tanishëm premtojnë se nuk do jemi përkrah të projekteve tuaja por do mbrojmë pronat tona në mënyrë ligjore, është momenti i fundit”, tha Grajqevci.
Burim Gërguri, kryetar i Kuvendit Komunal të Obiliqit, u ofroi përkrahje banorëve. Ai tha se me Qeverinë Haradinaj do të zgjidhet problemi i gjithë banorëve të Hadës.
Kurse, banorja e Hades, Sanije Grajqevci tha se banorët e këtij fshati po përjetojnë tmerrin e vërtetë.
Ajo tha se janë mbledhur sot për t’u treguar udhëheqësve vendor se nuk do lejojnë manipulimin me pronat e tyre.
Drejtoresha e Forumit Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha duke u shprehur e brengosur për gjendjen e këtyre banorëve, tha se edhe pas 14 viteve gjendja e tyre vazhdon të jetë në pikën zero.
Sipas saj, mos zhvendosja e këtyre banorëve është dështim i qeverive të vendit dhe bankës botërore.
Përfaqësuesit e fshatit paralajmëruan se do të takohen me nënkryetarin e komunës, Ajet Berisha për të gjetur zgjidhje. /Telegrafi/