Site icon Telegrafi

Banorët e Gazi Babës çelën iftar së bashku nën qiell të hapur dhe në rrugë (Video)

Një iftar i pazakontë, në rrugë, nën qiell të hapur, në prani të të gjithë fqinjëve. Kështu vendosën ta kalojnë iftarin e djeshëm banorët e rrugës “Zef Lush Marku” në lagjen e Gazi Babës. Ata ftuan familjarët dhe miqtë e tyre për të shijuar së bashku iftarin në një atmosferë të këtillë. Erdhën edhe ata që janë shpërngulur nga kjo lagje, por edhe ata që jetojnë në diasporë. Haki Murtezani nga këshilli për organizimin e këtij iftari, tha se ideja është që të kalohet një iftar i përbashkët me të gjithë fqinjët, si një kulminacion i bashkëjetesës, që të përcillet tek të rinjtë mesazhi i solidarizimit.

“Në këtë mënyrë, në këtë ambient të hapur, kemi 3 vite që organizojmë. Më para kishim një klub dhe me një hapësirë pak më të ngushtë, me një numër më të kufizuar, rreth 20-25 vetë. Prej para tre viteve, edhe stina e verës na e mundëson këtë, në ambient të hapur me një numër shumë më të madh të qytetarëve të kësaj mëhalle. Pikërisht ju mund ta shihni se në çfarë atmosfere, pra një kënaqësi e vërtetë”, tha për Tv Shenja anëtar i këshillit për organizimin e iftarit, Haki Murtezani.

Enkas për të shijuar këtë atmosferë, erdhën edhe disa banorë të lagjes që jetojnë në diasporë. Ata nuk mund të përshkruajnë emocionet, dhe thonë që u vjen keq që ndoshta nuk munden të vijnë çdo vit.

“Përkohësisht jetoj në Belgjikë, kam ardhur enkas për këtë Iftar, shpresoj që mirë do të kalojmë, Allahu e shpërbleftë organizatorin i cili me të vërtetë e ka bë një punë shumë të madhe”, tha njëri nga banorët e lagjes.

“Kemi marrë një inspirim prej këtyre vëllezërve dhe që të vazhdojmë me këto tradita të iftareve. un jam përkohësisht në Suedi, dhe atje prej inspirimit të kësaj mëhallës, kemi organizuar një iftar atje në Mallmo në Suedi, e tani kemi ardhur enkas edhe për këtë iftar”, tha një banor tjetër.

Përveç agjërimit në muajin e Ramazanit, që bart me vete sensibilizimin dhe solidarizimin me ata që vuajnë për bukën e gojës, nëpërmjet këtij iftari të pazakontë, banorët e rrugës “Zef Lush Marku” shpresojnë që tek të rinjtë të bartin edhe mesazhin e solidarizimin dhe bashkëjetesës me fqinjët./Telegrafi/

Exit mobile version