Një pjesë e madhe e Fushë Kosovës dhe lagja “Kalabria”, në Prishtinë do të përballen me reduktime të ujit të pijshëm, për shkak të një dëmtimi që ka ndodhur në fshatin Milloshevë.
Sipas komunikatës për medie, palët e treta kanë dëmtuar kabllon furnizuese në stacionin e pompave.
“Të nderuar konsumatorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit,, Prishtina,, sh.a., ju njoftojmë se sot për shkak të dëmtimit të kabllos furnizuese në stacionin e pompave në fshatin Milloshevë nga kontraktorë privat, Impianti i Trajtimit të Ujit në Shkabaj tash për tash është jashtë funksionit”, thuhet në komunikatë.
Bëhet e ditur se ekipet e KRU”Prishtina” bashkë me inspekcionin e komunës së Obiliqit janë në vendin e ngjarjes.
“Si pasojë e këtij dëmtimi nga palë të treta, jemi të detyruar të aplikojmë reduktime të ujit të pijshëm për pjesën më të madhe të Fushë Kosovës dhe lagjes ” Kalabria ” në Prishtinë. Reduktimet do zgjasin deri në sanimin e gjendjes”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/