Site icon Telegrafi

Banorët e Çerkezit e vazhdojnë betejën me EVN, sot vazhdon protesta

Banorët e Çerkezit të Kumanovës kanë vendosur ta çojnë deri në fund betejën me EVN-në. Në shenjë revolte dhe kundërshtim të vendosjes së orë-matësve të rinj ata sot pasdite kanë bllokuar rrugën e vjetër Kumanovë – Shkup.

Protesta dhe pakënaqësitë janë rritur akoma më shumë për faktin se kompania në fjalë ka disa ditë që një pjesë të fshatit e ka ç’kyçur nga rrjeti, njofton agjencia e lajmeve ina.

Banorët e fshatit Çerkez të Kumanovës theksojnë se EVN Maqedoni i ka gjunjëzuar dhe mezi po mbijetojnë. Ata së fundi janë të revoltuar nga faturat e larta që mezi po i përballojnë.

“Është shkelje e të drejtave njerëzore dhe pabarazi sociale në këtë shtet. Ke një ndihmë sociale prej 2500 denarëve me 3 anëtarë familje dhe minimumi i minimumit duke shkyçur gjithçka paguajmë 2000 – 3000 denarë rrymë në muaj. Me çka të jetojmë, me çka të ushqehemi. Më mirë atë ndihmë sociale duhet tja çojnë drejt në konto EVN-së”, thekson një banor i këtij vendbanimi.

Banorët hedhin poshtë akuzat e EVN-së se në fshat ka instalime ilegale të energjisë elektrike. Sipas tyre, hajnat e vërtetë janë vetë EVN.

“Rrjeti elektrik në fshat është vendosur me kontributin tonë, deri sa nuk ndërhyjnë këta. Njëherë ata kanë ndërmarrë hapa për ndryshimin e matjes së rrymës, tash iu ka prij mendja të bëjnë një mënyrë tjetër se ata po na vjedhin rrymën. Jo ne nuk e vjedhim rrymën, por hajdutët e vërtetë janë ata. Nëse ata nuk kanë besim tek ne, pse neve t’i besojmë atyre”, tha një banor tjetër.

Protestat nuk do të ndalen derisa drejtuesit e EVN-së nuk zhvillojnë takim me banorët.

Nga kompania EVN përmes një përgjigje për mediat kanë theksuar se për shkak të problemeve që konsumatorët kanë me orë-matësit, po bëhet rikonstruimi i tyre, projekt ky i cili sipas tyre, kap vlerën e 1 milion eurove. Por banorët thonë se me vetëkontributin e tyre me dekada të tëra kanë riparuar rrjetin, kanë blerë trafostacion të ri në pjesën qendrore dhe se për gjithçka kanë paguar shërbimet e EVN që i merrë për çdo dalje në terren.

Banorët e Çerkezit për Telegrafi Maqedoni thonë se beteja do të vazhdojë edhe sot!/Telegrafi/

Exit mobile version