Me pankartat “Stop gropave”, “Ktheni taksat tona”, “Stop ndotjes së ajrit”, banorët e fshatit Artakoll të Vushtrrisë kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Mitrovicë dhe përmes protestës kanë kërkuar asfaltimin e kësaj rruge.
Sipas protestuesve, pluhuri në rrugë po ua dëmton edhe shëndetin e fëmijëve që shkojnë në shkollë përgjatë kësaj rruge.
Në emër të banorëve të fshatit, foli udhëheqësi i protestës Bashkim Asllani, i cili tha se këta banorë po ndihen të rrezikuar nga pluhuri që po iu shkaktohen nga rruga, dhe se ekonomitë familjare të tyre po u shkatërrohen.
Asllani po ashtu ka thënë së nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, ata do të protestojnë edhe para Qeverisë.
“Jemi tubuar të protestojmë jo pse po dëshirojmë, por po protestojmë për të shprehur pakënaqsinë tonë, realizimin e së drejtës sonë elementare, për realizimin e së drejtës për një jetë sa më të qetë. Ne si qytetarë, jemi të rrezikuar nga pluhuri i cili po shkaktohet në rrugë”, ka thënë Asllani, raporton KosovaPress.
Shqetësimin e tij për problemin e pluhurit e ka shprehur edhe një banor tjetër që doli sot në protestë.
Afrim Selmani, tha se nëse qeveria u gjen zgjidhje për këtë rrugë, do të detyrohen ta ndërprejnë procesin mësimor të fëmijëve. Edhe Selmani potencoi se protestat do të vazhdojnë para qeverisë deri në realizim të kërkesave të tyre.
“Jemi në hallë me këtë rrugë, fëmijët tanë kanë probleme, afro 600 metra udhëtojnë nëpër atë rrugë e nëpër atë pluhur. Nëse Qeveria e Kosovës nuk merr vendim me e shtru rrugën, fatkeqësisht, po them fatkeqësisht jemi të detyruar ta ndërprejmë mësimin shkollor. Më me rëndësi është shëndeti i fëmijëve tanë se shkolla, se gjitha të tjerat”, ka thënë Selmani.
Protestës iu bashkangjit edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, së bashku me nënkryetarin dhe asambleistë të kësaj komune. Ai u premtoi banorëve që brenda javës institucionet qendrore do të takohen dhe do të bëjnë zgjidhje për eleminimin e këtij problemi, dhe njëherësh u bëri thirrje banorëve që të mos e bllokojnë rrugën.
“Ne i kemi përkrahur kërkesat e drejta të banorëve të Artakollit për shkak se mendojmë që me të vërtetë se gjendja e asaj rruge është shumë e randë dhe qeveria ka mundësi dhe ka hapësirë që përmes procesit të ridestinimit të vendosë mjetet e nevojshme që në këtë dimër, banorët e këtyre fshatërave të mos hyjnë në atë gjendje. Unë kam biseduar edhe me Ministrinë e Infrastrukturës, kam biseduar edhe me Ministrinë e Financave dhe kam fjalën e tyre që ata brenda kësaj jave do të takohen së bashku dhe do t’i japin rrugë këtij problemi të banorëve të Artakollit”, ka thënë Tahiri.
Ani pse protesta ishte paraparë të zgjaste një orë, ajo zgjati rreth gjysmë ore dhe u mbyll me thirrjen e kryetarit. Ndërkaq, disa protestues nuk u ndanë të kënaqur nga kjo protestë, të cilën e quajtën ‘reklamë të partive’.
Rikujtojmë që kjo është hera e dytë që këta banorë po protestojnë për asfaltimin e kësaj rruge. /Telegrafi/