Site icon Telegrafi

Banorë e lagjes së Muhaxherëve ankohen se QMF nuk punon në fundjavë, detyrohen të shkojnë në Breg Diellit

Banorët e “Lagjes së Muhaxherëve” në Prishtinë, thonë se ndjehen të diskriminuar në marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Edhe pse të gjitha qendrat tjera të Mjekësisë Familjare në kryeqytet punojnë edhe në fundjavë, banorët e kësaj lagjeje janë ankuar se nuk marrin shërbime nga QMF Nr.11.

“Lagja e Muhaxherëve”, e cila konsiderohet ndër lagjet më të populluara në kryeqytet, rreth 7500 banorë, obligohen në këto ditë të ftohta të shkojnë në QMF, në Breg Diellit.

A. Ramadani, banor i kësaj lagjeje, ka thënë se përkundër që kjo qendër gëzon staf të mjaftueshëm për të ofruar shërbime mjekësore, nuk e bënë një gjë të tillë në fundjavë.

“Banorët e kësaj Lagje, që nga hapja e kësaj Qendre në Qershor të 2015 e deri më sot, asnjëherë nuk e kanë gjetur të hapur në fundjavë duke u obliguar që shërbimet shëndetësore t’i marrin në Breg të Diellit apo tek QMF që gjendet afër Postës së Madhe. Shqetësuese qëndron fakti që e njëjta gëzon staf të mjaftueshëm për të ofruar shërbime edhe gjatë ditëve të vikendit por që një gjë e tillë vazhdon të mohohet për banorët e kësaj lagje. Nga gjithsej 12 QMF që gjenden përbrenda kryeqytetit, e vetmja QMF në “Lagjen e Muhaxherëve” qëndron e mbyllur ditëve të fundjavës”, i ka thënë Telegrafit A. Ramadani, banor i lagjes.

Lidhur me këtë, Telegrafi ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës.

Exit mobile version