Telegrafi

Banksy përmes artit tregon se kush janë heronjtë e kohës së sotme

Një vepër e re arti e autorit më të famshëm anonim, Banksy, është shfaqur në Spitalin e Përgjithshëm të Southampton, transmeton Telegrafi.

Sipas medieve të huaja, realizimi kryesisht bardhë e zi, në një metër katror, në bashkëpunim me menaxherët e spitalit u var në një holl pranë departamentit të Urgjencës. Ajo shfaq një fëmijë që rri në gjunjë para një shporte. Siç mund të shihet, ai i ka lënë mënjanë lodrat e tij Spiderman dhe Batman, në favor të një heroi të ri – infermieres së Shërbimit Kombëtar Shëndetësor. Krahu i infermieres është i shtrirë dhe duket se ka pozën e superheroit Superman në një mision. Infermierja mban një maskë, një pelerinë dhe uniformën me emblemën e Kryqit të Kuq (i vetmi element me ngjyrë në foto).

Artisti la një shënim për punonjësit e spitalit, në të cilin shkruhej: “Faleminderit për gjithçka që jeni duke bërë. Shpresoj që kjo do ta ndriçojë paksa vendin, edhe pse është vetëm bardhezi”.

Vepra  do të qëndrojë në Spitalin e Përgjithshëm të Southampton deri në vjeshtë, kur do të dalë në ankand për të mbledhur para për punëtorët shëndetësorë.

Paula Head, drejtoreshë ekzekutive e Spitalit, ka thënë: “Jemi të prekur me humbjen tragjike të anëtarëve shumë të dashur dhe të respektuar të stafit dhe miqve. Fakti që Banksy na ka zgjedhur për të njohur kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithëve, është nder i madh. Padyshim që kjo do të jetë nxitje për të gjithë ata që punojnë dhe përkujdesen në spitalin tonë”. /Telegrafi/