Bankat më të mëdha qendrore në botë duhet të sigurohen se rritja graduale e normave të interesit do të jetë efektive, në mënyrë që të stabilizohen tregjet financiar, deklaron Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare në Bazel.
Institucioni dha paralajmërimin në një kohë të optimizmit të investitorëve prej rimëkëmbjes së ekonomisë globale, inflacionit të ngadaltë dhe mbivlerësimin në tregjet e kapitaleve.
Nivelet e mëdha të borxhit zbulojnë cënueshmëritë në sistemin financiar dhe rritja gjigante e çmimit të aktiveve këtë vit ka shtuar alarmin te institucioni në Zvicër.
“Nivelet e mëdha të borxhit, në valutë të huaj dhe vendase, po vazhdojnë të rriten. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe çmimet e aktiveve”, deklaroi kreu i departamentit monetar dhe ekonomik të institucionit, Claudio Borio.
Sipas tij, sa më gjatë të vazhdojë periudha e pranimit të rrezikut, aq më shumë do të ekspozohen bilancet ndaj rreziqeve. Qetësia në terma afat-shkurtër vjen me koston e trazirave të mundshme në afat-gjatë.
Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare vuri theksin edhe te yield-et e obligacioneve, që kanë qëndruar në nivele të ulëta pavarësisht tkurrjes së bilancit nga Rezerva Federale dhe përgatitjes për përfundimin e stimujve nga Banka Qendrore Europiane. Ritmi i tkurrjes monetare nga Rezerva Federale pritet të jetë më i ngadalti në histori.
“Në një kohë që gradualizmi dhe parashikueshmëria janë kthyer në normalitet, shqetësimet mbi tkurrjen monetare efektive ka gjasa të shtohen”, deklaron institucioni në Bazel. /Telegrafi/