Telegrafi

Bankat private në Shqipëri në gjendje të përballojnë kreditë e këqija

Sipas këtyre llogarive, në rast se leku nuk dobësohet më tej kundrejt euros gjatë këtij viti, sasia e kredive të këqija në sistemin bankar nuk do të rritet më tej. Kjo do të thotë se niveli aktual prej 11.7 për qind, mund të konsiderohet si kulmi i krizës.

Por në rast se leku do të zhvlerësohet me 5 për qind të tjera, kreditë e këqija mund të rriten deri në 15.5 për qind nga fundi i këtij viti, sipas skenarit të dytë. Edhe në këtë rast, bankat nuk do të paraqesin asnjë problem, pasi humbjet e pësuara nga kreditë e këqija do të mbulohen me lehtësi nga fitimet e këtij viti. I njëjti konkluzion është edhe në rast se leku zhvlerësohet me 10 për qind.

Në këtë rast, kreditë e këqija mund të arrijnë në 16 për qind, por sërish bankat nuk do të përballen me humbje të konsiderueshme financiare. Vetëm në rast se leku zhvlerësohet me 20 për qind, atëherë kreditë e këqija mund të arrijnë në 25 për qind.

Sipas këtij skenari ekstrem, pronarët e bankave do të detyrohen të derdhin rreth 40 milionë dollarë kapital shtesë për të mbuluar humbjet, raporton gazeta Shqip.

Sistemi bankar shqiptar ka rezultuar veçanërisht i qëndrueshëm gjatë krizës së vitit të kaluar, për shkak të mbikëqyrjes së dobët të marrëdhënieve kontraktuale mes bankave dhe klientëve.

Të gjitha bankat qenë në gjendje të ndryshojnë kushtet e kontratave të kredive me klientët e vet, si dhe shtuan komisionet mbi shërbimet bankare shpesh pa pasur nevojë as t’i informojnë klientët.

Në këtë mënyrë, klientët e rregullt të bankave u detyruan të paguajnë humbjet që bankat pësuan nga kreditë e këqija. Në disa raste, bankat ndryshuan tërësisht kushtet kontraktuale me kredimarrësit, duke i ngarkuar atyre kosto shtesë. Në fund, bankat siguruan fitime të mëdha edhe për vitin 2009, ndërsa këtë vit presin të rrisin edhe më tej fitimet.

BSH ka ndërmarrë disa nisma për të detyruar bankat që të informojnë klientët për kostot e shërbimeve bankare, megjithatë, kontratat me bankat mbeten ende të hapura në dëm të klientëve