Telegrafi

Bankat në Shqipëri jo transparente

E përditshmja Mapo raportoi të premten se qëllimi i këtij monitorimi ka qenë vlerësimi i sjelljes së bankave të nivelit të dytë, transparenca me klientët dhe krahasimi i tarifave të shërbimeve që këto banka aplikojnë në Shqipëri me bankat homologe në rajon.

Duke bërë një qasje krahasuese me tarifat e shërbimeve me bankat e rajonit, nga raporti rezulton se brenda të njëjtit Grup Bankar, bankat që operojnë në Shqipëri aplikojnë tarifa më të larta të shërbimeve bankare sesa bankat homologe në rajon, duke vështirësuar përfitimin e këtyre shërbimeve nga klientët dhe mundësinë e ndërrimit të bankës.

Më tej, raporti vë në dukje se bankat tregtare shfaqin mungesë të transparence në raport me klientët e tyre, gjë që reflektohet në mungesën e elasticitetit të kërkesës për shërbimet bankare. Për rrjedhojë raporti nënvizon se në këto kushte është e vështirë të analizohet shkalla e konkurrencës efektive midis operatorëve të tregut.

Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se për disa shërbime si për shembull llogaritë rrjedhëse dhe çeqet, bankat aplikojnë komisione në euro dhe jo në monedhën vendase, duke i vënë konsumatorët përballë riskut të kursit të këmbimit. Raporti i cituar nga Mapo vëren se nga vlerësimi i treguesve të transparencës, u konstatua se jo të gjitha bankat e nivelit të dytë kanë faqe interneti dhe si rrjedhojë nuk kanë të publikuara kushtet e punës në gjuhën shqipe. /Telegrafi/