Site icon Telegrafi

Bankat në SHBA me tepricë rezervash

Cikli më i madh lehtësues në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lënë një mal me para në sistem.

Bankat aktualisht mbajnë një tepricë rezervash në 2.5 trilionë dollarë, dhe me këto para nuk dinë çfarë t’i bëjnë. Ndërkohë që Rezerva Federale përgatitet të rrisë normat e interesit gjatë javës së ardhshme, investitorët kanë gjithashtu pikëpyetjet e tyre. Pjesa dërrmuese e investitorëve nuk ka pranuar të rrezikojë, duke luajtur një lojë të sigurtë. Analistët e tregjeve këshillojnë të njëjtën gjë.

Loja më e leverdishme është të presësh dhe të vrojtosh reagimet e tregjeve- theksojnë ata. Tregjet ndërkohë projektojnë një rritje graduale të normave të interesit, duke filluar me 25 pikë bazë në 16 Dhjetor. Nga ana tjetër, Rezerva Federale i druhet një lëvizje të pamatur, që mund të shkaktojë një kolaps të tregut të obligacioneve si ai i dy dekadave më parë.

Vetë kryetarja e Rezervës Federale, Janet Yellen, ka theksuar vazhdimisht se në të dyja rastet Rezerva Federale mbart mbi kurriz rreziqe të mëdha, si duke ndërhyrë më 16 Dhjetor ashtu edhe duke mos ndërhyrë. Gjithsesi rreziqet e mosndërhyrjes janë edhe më të mëdha pasi do të shkaktonin një kaos në tregje, duke zhgënjyer pritshmëritë. /Telegrafi/

Exit mobile version