Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se ka takuar guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe përfaqësueses bankave komerciale për të diskutuar lidhur me operacionalizimin e dy masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, gjegjësisht masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive dhe masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar.
Sipas njoftimi, këto masa kanë për qëllim kreditimin e bizneseve prodhuese si dhe mbështetjen e likuiditetit familjar, përcjell Telegrafi.
“Masa 2.1 – Subvencionimi i kredive investive synon rritjen e investimeve të reja në kapacitete prodhuese dhe përpunuese, të cilat rrjedhimisht rrisin punësimin dhe ndikojnë në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Krahas bizneseve prodhuese, duke konsideruar rëndësinë e veçantë të fuqizimit të grave në ekonomi, e njëjta masë aplikohet edhe për bizneset joprodhuese të udhëhequra nga gratë. Përkatësisht, me anë të kësaj mase Qeveria do të mbështesë kreditë për bizneset prodhuese dhe ato në pronësi të grave për të financuar zgjerimin e kapaciteteve, duke subvencionuar deri në 20 për qind të kryegjësë së kredisë, më saktësisht 10 për qind të kryegjësë në fillim si dhe 10 për qind të tjera në fund të kredisë në rast se janë përmbushur objektivat e investimit”, thuhet në njoftimin e MFPT-së.
Në anën tjetër, masa 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar, ka për qëllim kreditimin e amvisërisë deri në 3 mijë euro, që do t’u mundësojë shumë familjeve ta kenë më të lehtë përballimin e shpenzimeve sezonale. /Telegrafi/