Telegrafi

Bankat e huaja të nivelit të dytë në Shqipëri ndërrojnë taktikë

Mëse një muaj më vonë, kriza është në vijim dhe vende rrotull Shqipërisë, po planifikojnë ndërhyrje monetare për bankat e tyre, që të shpëtojnë paratë e depozituesve. Rasti më i freskët është ai i qeverisë greke, që injektoi mbi 28 miliardë euro, duke kujtuar se rreziku është jo vetëm për financat e Athinës, por edhe në bankat që në Shqipëri janë degë të bankave greke.

Guvernatori Adrian Fullani, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, megjithatë deklaroi se nuk ka vend për panik, dhe se institucioni që ai drejton e ka gjendjen nën kontroll: “Tregjet financiare nuk janë prekur nga tronditjet e tregjeve financiare globale apo evropiane".

Shkak për këtë ka qenë jo vetëm shkalla e ulët e integrimit me tregjet evropiane dhe orientimi i sistemit tonë bankar drejt financimit të aktivitetit të brendshëm, por edhe mbikëqyrja e kujdesshme e Bankës së Shqipërisë. Si autoriteti monetar dhe mbikëqyrës i sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka qenë veçanërisht e kujdesshme që të mbështesë nevojat për likuiditet të sistemit dhe të monitorojë në vazhdimësi performancën e treguesve financiarë të bankave.

Por ka zëra të shqetësuar që thonë se disa prej bankave që operojnë në Shqipëri, megjithëse kanë patur probleme me kreditë e këqija me kreditorët shqiptarë dhe nuk kanë portofol të kënaqshëm me likuiditete, vazhdojnë të transferojnë valutë jashtë vendit, për llogari të bankave mëmë.

Është një praktikë e njohur edhe nga Banka e Shqipërisë, aq sa guvernatori Fullani rreth dy muaj më parë publikisht u kërkoi bankave që të mos nxirrnin valutën jashtë vendit dhe premtoi se do të shtoheshin kontrollet se sa janë respektuar këshillat e Bankës Qendrore.

Një ekspert bankar thotë se bankat kanë reflektuar, por vetëm duke ndryshuar taktikë, duke e bërë më të kamufluar dhe më të sigurt nxjerrjen e valutës jashtë vendit.