Site icon Telegrafi

Bankat, 17 milionë euro fitim për tre muaj

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti bankave komerciale në vend u ka rënë profiti për 15 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Bankat komerciale që operojnë në vend në dy vjetët e fundit kishin thyer të gjitha rekordet duke e përmbyllur vitin me dhjetëra miliona euro fitim. Por, në tremujorin e parë të këtij viti bankat komerciale kanë shënuar rënie të profitit.

Petrit Balija, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se në tremujorin e parë të këtij viti është raportuar se profiti i bankave ka qenë 16.8 milionë euro, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar profiti i bankave ka qenë 19.9 milionë euro.

Pavarësisht këtij rezultati, sipas tij, sektori bankar në Kosovë edhe në tremujorin e parë ka arritur që të këtë një performancë të mirë. Ai thotë se performaca e mirë në sistemin bankar vjen si rezultat i uljes së normave mesatare të interesit në kredi.

“Sektori bankar në Kosovë ka pasur një performancë relativisht të mirë në tremujorin e parë të vitit 2016, megjithatë fitimi i raportuar në këtë periudhë është përafërsisht 15% më i ulët se vitin e kaluar, pasi që në këtë vit janë raportuar rreth 16.8 milionë euro fitim krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur fitimi ishte rreth 19.9 milionë euro. Është e vërtetë se fitimet e bankave në Kosovë kanë shënuar rritje në dy vjetët e fundit, por ky fitim vjen në një kohë kur norma mesatare e interesit të kredisë është në nivelin më të ulët në rreth 7,9% në normën mesatare efektive të interesit për kredi”, ka thënë ai.

Por, ekspertë të ekonomisë në vend kanë thënë se kjo rënie e fitimit të bankave ka ardhur si pasojë e rënies së interesimit për kredi. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version