Sistemi financiar është i gatshëm të përballet me krizën e coronavirusit. Rregullimi i kujdesshëm i rregullatorëve financiarë, kryesisht në harmonizim me rregulloret evropiane, ka kontribuar që sistemi të jetë në gjendje të përballojë tronditjen e shkaktuar nga pandemia e Kovid-19, është vlerësimi i përgjithshëm nga mbledhja e djeshme e Komitetit për stabilitetit financiar të Bankës Popullore.
Në seancë, siç njoftoi sot Banka Popullore, u analizuan masat e ndërmarra deri më tani për të ruajtur stabilitetin financiar, si dhe rezultatet e arritura dhe të pritura.
Guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska, e cila iu referua masave të ndërmarra nga Banka Popullore, theksoi se gjatë miratimit të secilës prej masave ka analizuar ndikimin e saj në secilën bankë veç e veç dhe të gjithë sistemin bankar, në mënyrë që masa të jetë në mbështetje të ekonomisë së Maqedonisë dhe me qëllim të ruajtjes së stabilitetit financiar.
Ministrja e Financave Nina Angelovska theksoi se janë ndërmarrë aktivitete që kanë për qëllim ruajtjen e likuiditetit të kompanive siç janë dy linjat e kredive pa interes, lehtësimi i taksave dhe mbështetja financiare. Në pjesën e masave që prekin sistemin financiar, janë ndërmarrë aktivitete te shoqëritë financiare dhe kompanive të lizingut, duke prezantuar një masë për uljen e anuiteteve të përdoruesve të kredisë deri në 70 për qind nga anuitet.
Kryetarja e Komisionit të letrave me vlerë Nora Aliti informoi se qarkullimi i përgjithshëm i realizuar në Bursën e Maqedonisë që nga 28 prilli është rreth 78 milion euro dhe se krahasuar me indekset kryesore të bursave në rajon, indeksi kryesor i bursës MBI 10 ka rënien më të ulët prej 6.92 për qind të vlerës së ditës së fundit të tregtimit në vitin 2019.
Në takim u theksua se ndikimi i pandemisë në tregjet financiare botërore pritet të ketë vetëm efekte afatshkurtra në fondet e pensioneve, duke pasur parasysh se ato janë investitorë afatgjatë.
Sektori i sigurimeve, nga ana tjetër, vazhdon të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme me përparësi dhe rreziqe të identifikuara që duhet të monitorohen për të ruajtur këtë trend.