Rritje ekonomike prej 3.2 për qind dhe inflacion prej 2 për qind, parasheh Banka Popullore e Maqedonisë gjatë vitit 2018. Siç theksoi guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, parakusht për realizimin e rritjes së parashikuar të BPV-së, është realizimi i investimeve infrastrukturore.
Ai tha se ndikim pozitiv pritet të ketë rritja ekonomike tek partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, që do të ndikojë në rritje të ndjeshme të eksportit, duke theksuar se pritjet janë që edhe rreziqet tjera të jenë më të ulëta.
“Një element i ri pozitiv në këtë cikël të parashikimeve, është mundësia për përshpejtimin e integrimit euroatlantik, që do të ishte inkurajim shtesë. Por, në skenarin kryesor kjo nuk është përfshirë, pra mbetet si element pozitiv mbi parashikimin”, tha Bogov.
Duke komentuar nominimin e tij për një mandat të radhës nga presidenti Ivanov, Bogov tha se cilado që të jetë marrëveshja politike për guvernatorin e ri, ajo duhet të ndodh para 21 majit, kur edhe skadon mandati i tij aktual.