Site icon Telegrafi

Banka ndërkombëtare HSBC mbyll 10 mijë vende pune

HSBC Holdings një ndër bankat më të mëdha ndërkombëtare po planifikon të shkurtojë deri në 10 mijë vende pune, pasi shefi ekzekutiv i përkohshëm Noel Quinn kërkon të ulë kostot e gjithë grupit bankar.

Sipas Financial Times, HSBC si një nga organizatat më të mëdha të shërbimeve financiare dhe bankare, aktualisht vepron në 65 shtete, duke pasur plot 40 milionë klientë në të gjithë botën. Por duket se me ngadalësimin ekonomik duke u thelluar dhe krizën botërore në rritje edhe HSBC po ndjen pasojat. Kështu për të kufizuar sa më tepër ndikimin negativ, shkurtimi i vendeve të punës është parë si një nga masat më me efekt, përcjell Telegrafi.

Plani paraqet përpjekjen më ambicioze të huadhënësit për të ulur kostot, duke theksuar se shkurtimet do të përqendrohen kryesisht në role me pagë të lartë. HSBC mund të njoftojë fillimin e lëvizjes për uljen e kostove dhe shkurtimet e vendeve të punës që pas llogaritjes së rezultateve të tremujorit të tretë, më vonë këtë muaj.

Lexo po ashtu SHBA në recesion ekonomik deri në vitin 2020

Quinn u bë shefi ekzekutiv i përkohshëm në muajin gusht pasi banka njoftoi largimin e befasishëm të John Flint, duke thënë se kishte nevojë për një ndryshim në krye, për të adresuar “një mjedis botëror shumë sfidues”. Largimi i Flint erdhi edhe si rezultat i linjave të ndryshme të mendimit me kryetarin Mark Tucker për tema të tilla si shkurtimi i shpenzimeve.

Shkurtimet vijnë në një kohë kur huadhënësi më herët kishte deklaruar se do të pushonte rreth 4 mijë njerëz në vit, një perspektivë më e zymtë biznesi, pas përshkallëzimit të luftës tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ciklit të vazhdueshëm të politikave monetare lehtësuese, trazirave në Hong Kong dhe BREXIT. /Telegrafi/

Exit mobile version